Pavarësisht interesit nga klube në Premier League, Frenkie de Jong dëshiron që të qëndrojë tek Barcelona. Kjo ka qënë deklarata e presidentit të klubit katalanas, Joan Laporta, i cili ka dhënë indicie se mesfushori do të jetë pjesë e spanjollëve dhe këtë sezon. Mes klubeve të interesuara për kartonin e De Jong, vëmendja kryesore ka qënë tek Manchester United. Anglezët ofruan 63.5 milionë paundë për shërbimet e lojtarit, një ofertë që u pranua nga Barcelona, por jo nga hollandezi, i cili refuzoi t’i bashkohej “Djajëve të Kuq”.
Laporta deklaroi në lidhje me të ardhmen e mesfushorit të talentuar:
“Ai është një lojtar me shumë kualitet i Barçës dhe ne duam që të qëndrojë. Ai ka oferta por ne duam që të qëndrojë, dhe ai vet ka të njejtën dëshirë.”
De Jong hyri në lojë si zëvëndësues në ndeshjen miqësore që Barcelona zhvilloi ndaj Pumas UNAM. Katalanasit fituan me rezultatin 6-0 dhe mesfushori ia doli që të shënonte një gol. De Jong është linkuar gjithashtu me një lëvizje drejt Chelsea, por këta të fundit nuk janë aq të gatshëm sa United për të konkretizuar transferimin.
Sipas raportimeve në Spanjë, drejtuesit e klubit presin që De Jong të pranojë një ulje page, në mënyrë që të mund të qëndrojë në Camp Nou. Momentalisht hollandezi ka një mosmarrëveshje me klubin në lidhje me disa paga të papaguara, dhe kjo e ka bërë situatën më delikate. Megjithatë, duket se skenari më i mundshëm është ai ku De Jong qëndron dhe për të paktën 1 sezon tek Barcelona.
Katalanasit kanë shpenzuar plot 120 milionë paundë në këtë merkato verore, pavarësisht situatës së komplikuar financiare. Megjithatë, klubi ka dështuar të regjistrojë të gjitha afrimet e reja, duke qënë se La Liga kërkon që Barcelona të ketë më shumë fonde në dispozicion.