Trajneri portugez i Romës, Jose Mourinho, është shfaqur si kandidat potencial për të marrë nën drejtim stolin e Everton. Kjo nëse këta të fundit, vendosin të shkarkojnë teknikun spanjoll Rafa Benitez, i cili deri më tani ka dështuar të përmbushë pritshmëritë e bordit drejtues dhe tifozëve të klubit.
Presioni mbi Benitez është rritur pas derbit të Merseyside përballë Liverpool, në të cilin Everton u mposht 4-1 nga ish-klubi i vjetër i spanjollit, në mesjavë. Tifozët vendas u shfaqën të frustruar gjatë pjesës më të madhe të lojës, dhe në fund të takimit, shfrynë zemërimin e tyre me fishkëllima drejtuar trajnerit, ashtu edhe ndaj bordit drejtues të Goodison Park. Humbja vazhdoi ecurinë e rezultateve negative të Everton. Ekipi ka shënuar 7 humbje dhe 2 barazime në 10 ndeshjet e fundit të Premier League.
Nga ana tjetër, Jose Mourinho mori drejtimin e skuadrës italiane të Romës në korrik. Portugezi ka kaluar shumë pak kohë në Itali, por sipas mediave sportive angleze, ekziston një mundësi që “The Special One” të jetë i hapur për një rikthim në Angli, nëse paraqitet mundësia e duhur. 58-vjeçari ka vetëm pesë muaj në Romë, por rezultatet jo konsistente dhe problemet me lojtarë të caktuar, kanë bërë drejtuesit e klubit italianë të jenë skeptikë ndaj trajnerit.
Për më tepër, Mourinho nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se Premier League, është vendi ku ai ndihet si në shtëpinë e tij. Pra nëse stoli i Everton bëhet i disponueshëm, atëherë ai mund ta ketë të vështirë t’i rezistojë shansit për t’u kthyer në Angli.
Ndërkohë bashkëpronari i Everton, Farhad Moshiri, e ka mbështetur publikisht Benitez që prej afrimit të tij në klub, por besimi i Farhad nuk pritet të zgjasë shumë, nëse rezultatet nuk përmirësohen. Kjo duke marrë parasysh dhe natyrën rebele të tifozerisë së Everton, që nuk do të pranojë lehtë ecurinë negative të klubit.